Futbollisti 19 vjeçar e lë Spitalin Amerikan në gjendje shumë të mirë shëndetësore
[:sq]Spitali Amerikan në Prishtinë shumë shpesh po e tregon dhe anën humane përveç asaj profesionale që tashmë e ka të dëshmuar ndër vite, ani pse dukuria e humanizimit nuk është shumë prezente në spitalet private në Kosovë.
Pacienti i radhës që shërimin shëndetësor e mori në Spitalin Amerikan dhe atë pa paguar asnjë qindarkë, është Kastriot Mehmeti, futbollisti 19 vjeç i Klubit Futbollistik (KF) “Drenica”.
Kastrioti pas operimit të gjurit ku ju bë rikuperimi i ligamentit të gjurit, që si pasoj e këtij lëndimi nuk kishte pasur mundësi të vazhdonte karriejern e tij të një futbollisti, tashmë ka lëshuar Spitalin Amerikan në gjëndje shumë të mirë shëndetësore ku ju ka bashkuar familjesë dhe miqve, dhe pas gjashtë muajsh Kastrioti do të jetë prezentë edhe në fushën e gjelbër të futbollit, i shëruar plotësisht dhe pa asnjë pengesë.
Kastrioti dhe tërë familja Mehmeti nga Skenderai, falenderojnë Spitalin Amerikan për mundësin e dhënë duke e quajtur këtë si një ëndërr e cila tashmë është bërë realitet.
“Familja ime nuk do të kishte mundësi të më paguante 5-6 mijë euro për operim sepse i dimë kushtet çfarë janë në Kosovë. Familja ime mbahet vetëm nga të ardhurat e mia si futbollist në Superligën e Kosovës. Jemi gjashtë anëtarë në familje dhe askush nga familja nuk punon. Ky spital më dha mundësinë që të vazhdoj ëndrrën time, të jem futbollist dhe në liga tjera. Falë Spitalit Amerikan do të kthehem më i fortë në Superlig të Kosovës”, thotë më shumë gëzim Kastrioti.
Doktor Florin Ramadani, Ortoped-Traumatolg dhe njëherit shef i Repartit të Ortopedisë, i cili kreu operimin e Kastriotit, thotë se Kastrioti do t’i kthehet futbollit në gjendjen shumë të mirë shëndetësore.
“Një rast ekstrem i rëndë, lëndim i ligamentit kryesor që stabilizon gjurin. Operacioni ka kaluar shumë me sukses meqë këtë lloj të operacionit e bëjmë shumë shpesh në Austri, bëjmë me mijëra të tilla operacione. Dhe tani në Kosovë kemi arritur të bëjmë të tilla operacione në numër shumë të madh. Krahas detajeve teknike që janë delikate dhe të rënda, për mua dhe stafin tim këtu është një intervenim rutinor, ka zgjatur 30 minuta. Në institucione që nuk kanë përvojë zgjasin me orë të tëra, por ne këtu shumë mirë e kaluam”, thotë ai.
Tani sipas Doktor Florinit, pacienti është në gjëndje shumë të mirë dhe gjithçka ka shkuar shkuar për mrekulli.
“Gjithçka ka shkuar shumë mirë, si gjatë operacionit dhe pas tij. Gjendja shëndetësore e Kastriotit është shumë e mirë dhe pas gjashtë muajsh ai do të mund të ju bashkohet ekipit të tij të futbollit”, thotë Dr.Florin Ramadani.
Spitali Amerikan gjithmonë ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një ndihmë më shumë për pacientët në nevojë.
Në muajt e parë të hapjes së Spitalit Amerikan në Prishtinë, në gusht të 2012-s është bërë marrëveshja me Komunën e Mitrovicës për trajtimin falas për banorët e veriut të Mitrovicës në Spitalin Amerikan në Prishtinë dhe Tiranë, vlera e trajtimeve bazuar në këtë marrëveshje ka kapur shifrën e 160.000 eurove.
Për t’iu ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuar Spitali Amerikan në bashkëpunim me organizatën “Hendikos” ka vendosur që fëmijët të kryejnë kontrolle falas.
Në Spitalin Amerikan, konkretisht në Repartin e Ortopedisë – Traumatologjisë janë trajtuar falas edhe sportistet e xhudos ku përmendim kampionen e botës, Majlinda Kelmendi. Ky spital ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Federatën e Xhudos në Kosovë për trajtime mjekësore falas për të gjithë xhudistët deri në përfundim të lojërave olimpike Rio 2016.
Në muajin prill të këtij viti, në Spitalin Amerikan është trajtuar falas edhe një pacient nga Prizreni që jetonte në kushte të vështira ekonomike.
Ndër të shumtë njerëz që ky spital iu ofroi shërbim shëndetësor ishte edhe nipi i Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Pasardhësi i familjes së lavdishme të Kosovës pas një lëndimi të komplikuar në këmbën e majtë që kërkonte ekspertizë të thellë, familjarët e tij e kishin sjellë në Spitalin Amerikan, ku mori trajtimin e duhur.
Në Spitalin Amerikan në Prishtinë me sukses kanë kaluar mbi tetë operacione falas për pacientët me gjendje jo të mirë ekonomike.