A po jeton një mysafir i padëshiruar në stomakun tënd?

Helicobacter pylori (H. pylori) është një bakter që gjendet në mukozën e stomakut.
Infeksioni bartet kryesisht në rrugë fekalo-orale ose oro-orale dhe zakonisht fitohet gjatë fëmijërisë.
Ky infeksion në lukth jep këto simptoma: dhimbje barku, fryrje, vjellje, madje edhe gjakderdhje nga lukthi dhe zorra dymbëdhjetëgishtore.
Infeksioni kronik rrit gjithashtu rrezikun për adenokarcinomën gastrike dhe limfomën MALT, prandaj themi se helikobakteri është karcinogjen – shkakton kancer.
Diagnostikimi mund të bëhet me identifikimin e antitrupave në gjak, testin e frymëmarrjes, testin e antigenit në feces, por edhe me gastroskopi dhe, në fund, edhe me biopsi.
Infeksioni me helikobakter duhet të mjekohet në mënyrë që sëmundjet të shërohen.
Qëllimi i mjekimit është eradikimi i bakterit, shërimi i ulçerës, lehtësimi i simptomave dhe ulja e rrezikut të komplikimeve.
Sot, në vendin tonë, por edhe në vendet tjera, kemi rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve; prandaj janë katër lloje të terapisë që përfshijnë PPI dhe antibiotikë.
Për shkak të rritjes së rezistencës ndaj antibiotikëve, udhëzimet ndërkombëtare rekomandojnë zgjedhjen e skemës terapeutike sipas rezistencës lokale. Një nga regjimet terapeutike më të përdorura është terapia katërfishtë.
Pas përfundimit të trajtimit, pas zakonisht 4–6 javësh, eradikimi duhet të vërtetohet, për të parë nëse kemi ende prani të helikobakterit apo nëse është mjekuar, me testin e frymëmarrjes ose testin e antigenit në feces.
Nuk bën të bëhen antitrupat e helikobakterit në serum, sepse antitrupat jetojnë me muaj.
Në përfundim, Helicobacter pylori është shkaktari kryesor i gastritit kronik dhe i ulçerës peptike, si dhe një faktor i rëndësishëm rreziku për kancerin e stomakut.
Diagnostikimi dhe trajtimi adekuat i mjekojnë ndërlikimet dhe përmirësojnë shëndetin e pacientëve.
Dr. Sci., Mr. Sci. Fadil Sherifi
Specialist Internist – Gastroenterolog