Mësoni rreth artritit reumatoid dhe ndikimit të tij në nyje

Çka është artriti reumatoid?
Artriti reumatoid është një sëmundje inflamatore që prek nyjet e vogla dhe të mëdha në trup.
Mosha që preket është prej 45 vjeç deri në moshën 70-vjeçare. Prek të dy gjinitë, por 4 herë më i shprehur është te femrat.
Cilat janë simptomat e artritit reumatoid?
Sëmundja atakon nyjet e vogla të duarve dhe të këmbëve, por i prek edhe të gjitha nyjet e tjera në trup.
Fillon me një ngurtësim mëngjesor, ku pacienti ka vështirësi në hapjen e gishtave të dorës dhe në bërjen grusht të dorës, si dhe të gishtave të këmbës. Ky ngurtësim zgjat më shumë se gjysmë ore dhe ndonjëherë tërë paraditen ose tërë ditën.
Nëse nuk mjekohet me kohë, këto ndryshime përparojnë dhe vjen deri te destruksioni ose shkatërrimi i nyjeve, duke çuar në invaliditet.
Si trajtohet dhe menaxhohet artriti reumatoid?
Trajtimi i artritit reumatoid varet nga faza e sëmundjes, simptomat dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore e pacientit. Qëllimi i trajtimit është të kontrollojë inflamacionin, të lehtësojë dhimbjen, të ruajë funksionin e nyjeve dhe të ngadalësojë përparimin e sëmundjes.
Është shumë e rëndësishme që trajtimi të përcaktohet vetëm nga mjeku specialist, pas vlerësimit klinik dhe analizave përkatëse.
Mos përdorni barna pa konsultë mjekësore, pasi vetë-mjekimi mund të shkaktojë efekte të padëshiruara.
Dr. Nazmije Martinaj,
Interniste – Reumatologe